Pse është trëndafili i kuq, lulja që simbolizon dashurinë dhe pasioni?!


Lulja që më së shpeshti i dhurohet njerëzve është trëndafili. Kjo lule, ngjyrat e së cilës mbartin secila mesazhin dhe simbolikën e vet, ka në kryeradhë të gjithë këtij manifestimi adhurimi, përulësie dhe dëshirimi trëndafilin e kuq, i cili simbolizon dashurinë dhe pasionin.

A është pikërisht ky fakti se njerëzit më së shumti janë të dashuruar dhe këmbejnë mes tyre dashuri dhe pasion? Patjetër që po, sepse është trëndafili i kuq, e gjakta ngjyrë e këtyre petaleve delikate, ajo prej së cilës ne ngasemi më së shumë, prehemi më paqësisht dhe shkrehemi më uturishëm, si vetë vërshimi i gjakut kur trupat i kafshon zjarri i epshit. Janë pikërisht ato petale, delikatesa e të cilave aq sa u ngjan buzëve të etura për puthje, përngjason edhe me kurmet e shkrehura në tërbimin e seksit. Janë këto joshëse flakatare, tek të cilat shkrehen sytë tanë të ndezur nga pasioni, prehet dëshirimi ynë për t’u dehur prej aromës, theket e athta shije për t’u shpuar nga gjembat e këtij kafshimi tinzar, sepse edhe vetë dashuria dhëmb, sepse edhe hyjnia e këtij caku shejtnor ka ardhur deri në vetëdijen tonë moderne si shembull vetmohimi dhe martirizimi.

Asnjë lule nuk thërret aq shumë për të ëndërruar sa trëndafili dhe jo më kot quhet mbretëreshë ndër lule të tjera. Prejardhjen e ka nga Kina dhe Persia e u soll në Europë nëpërmjet Egjiptit dhe Greqisë në Sicili e në Francë e kështu u përhap në gjithë Evropën. Më vonë u bë edhe një ndër simbolet e kopshteve të pasanikëve. Duke filluar që në shek. 18 me kultivimin e trëndafilit e deri më sot gjithsej njihen rreth 50000 varietete të ndryshme në të gjithë botën. Në bazë të disa zbulimeve fosile të vjetra, vërtetohet që trëndafili i egër ka 25 milionë vite që ekziston. Në kulturat e vjetra greke e romake trëndafili ishte një simbol i shenjtë shumë i rëndësishëm. Ushtarët e kthyer nga lufta nderoheshin me kurora trëndafili.

Thuhet që trëndafili i kuq e kishte prejardhjen nga gjaku i Adonis-it ndërsa trëndafili i bardhë e kishte prejardhjen nga shkuma e Venusit (Veneres). Afërdita, perëndesha e bukurisë dhe dashurisë e adhuronte trëndafilin, sipas legjendave prandaj edhe shumë rite dashurie shoqëroheshin me petale trëndafili, me pomada trëndafili e të dashuruarve u dhuroheshin trëndafila. Trëndafilit i ka kënduar edhe Safo, duke e quajtur ne poemat e saj si “mbretëresha e luleve” . Sipas legjendës Afërdita lindi nga shkuma e detit dhe shkurrja e trëndafilit.

Trëndafili ka një pamje magjike dhe shumë tërheqëse për njerëzit, është simbol i bukurisë, përsosmërisë, pastërtisë i dashurisë dhe është sinonim i dashurisë tokësore dhe qiellore. A e dini se vaji esencial që nxirret nga petalet e trëndafilit është më i shtrenjtë se floriri ? Për të përfituar një litër vaj trëndafili duhet rreth 5000 kg petale trëndafili. Por mbi të gjitha trëndafili ka dhe vlera kurative dhe kozmetike. Trëndafilat që përdoren në kozmetikë apo në farmaceutikë janë: trëndafili damascen me disa nën lloje të tij, (rosa damascena), trëndafili farmaceutik që quhet (rosa gallica) e përdoret jo vetëm për të përfituar parfume por dhe për përgatitjen e uthullës prej trëndafili, lulet e trëndafilit të egër (rosa canina) për të cilat do të flasim të shtunën.

Uji i trëndafilit përgatitet nga petalet e lules dhe në shekullit e VIII-të dhe IX-të, uji i trëndafilit konsiderohej si objekt komercial shumë i vlefshëm. Uji i trëndafilit përmban vaj esencial trëndafili dhe ujë të distiluar por për ta prodhuar ka një proces të ndërlikuar dhe të ha shumë kohë dhe në ujin e trëndafilit gjendët të gjitha cilësitë e lules brenda.

Vetë mbledhja e trëndafilave përbën një rit të vërtetë, i cili i ngjan atij të 200 vjetëve përpara. Koha më e mirë për mbledhjen është nga ora 5 e gjysmë deri në orën 10 të mëngjesit, kur rrezet e diellit ende nuk e kanë djegur vajin e trëndafilit, të cilin e përmbajnë lulet.

Përderisa asnjë grua nuk do të refuzonte një buqetë trëndafilash të kuq, zbuloni mesazhet e tjera që mund t’i dërgoni duke futur një ngjyrë tjetër apo duke kombinuar ngjyrat në buqetën e juaj.

E kuqe: Dashuri dhe romancë

Një nga simbolet më universale, trëndafili i kuq përfaqëson dashurinë e vërtetë. Po ashtu është shfaqur përgjatë historisë dhe nëpër kultura si simbol politik dhe religjioz.

E verdhë: Miqësi, gëzim, bëhu mirë

Historikisht, e verdha ka qenë e lidhur ngushtë me diellin, duke i bërë këto lule të shkëlqyeshme për t’i gëzuar njerëzit. Trëndafilat e verdhë dërgojnë mesazh të vlerësimit dhe dashurisë platonike pa nënkuptimin romantik të ngjyrave të tjera. Kjo ngjyrë përfaqëson ndjenjat e gëzimit dhe të kënaqësisë,transmeton koha.net.

Rozë: Dashuri, vlerësim, mirënjohje

Ngjyra rozë mbart më vete konotacionin e hijeshisë dhe të elegancës, si dhe ëmbëlsinë dhe romancën poetike.

Lulet me ngjyrë rozë të errët janë simbol i mirënjohjes dhe i vlerësimit dhe janë mënyrë tradicionale për të thënë faleminderit.

Trëndafilat ngjyrë rozë të çelët janë të lidhur me butësinë dhe admirimin, dhe po ashtu mund të përdoren si shprehje e simpatisë.

E bardhë: Pastërti, brishtësi, simpati, spiritualitet

Tradita e hershme ka përdorur trëndafilat e bardhë si simbol të dashurisë së vërtetë, një asociacion që më vonë do të bëhej vula e trëndafilit të kuq. E njohur po ashtu si lulja e nuses, lulja e bardhë është lule tradicionale e martesës, transmeton Koha.net. Në këtë kuptim, e bardha përfaqëson unitet, virtyt dhe dëlirësinë e një dashurie të re. Trëndafilat e bardhë po ashtu janë të lidhur me respektin dhe nderimin, çka i bën të përshtatshëm për kujtimin e të dashurve që kanë ikur.

E portokalltë: Dëshirë, entuziazëm dhe pasion

Një përzierje e saktë e të verdhës dhe të kuqes, trëndafilat e portokalltë janë parë si urë në mes miqësisë së simbolizuar nga trëndafilat e verdhë dhe dashurisë të përfaqësuar nga trëndafilat e kuq. Ata mund të jenë shprehje e fascinimit, apo dhuratë për të thënë “Jam krenar në ty”.

E purpurt: Magjepsje, madhështi, dashuri në shikim të parë

Ngjyra vjollcë ka një asociacion tradicional me mbretëroren. Në këtë drejtim, nuancat e luleve me ngjyrë të purpurt sugjerojnë një frymë të madhështisë dhe shkëlqimit mbretëror.

Leave a Reply