I ftohti artik pushton Shqipërinë: -15 gradë, çfarë pritet në ditët e ardhshme


Dimri i vërtetë ka pushtuar Shqipërinë. Reshjet e shiut, dëborës dhe temperaturat nën zero kanë përfshirë pjesën më të madhe të vendit tonë.

Meteorologët bëjnë me dije se moti i acartë nuk do t’a lë shpejt Shqipërinë.

Mësohet se temperaturat e ulta do të vazhdojnë deri në mesin e javës së ardhshme.

Rikujtojmë se ditën e djeshme Ministria e Arsimit mbylli shkollat në të gjithë vendin për shkak të reshjeve të vazhdueshme të dëborës dhe temperaturave të acarta.

Më shumë problematike paraqitet situata në pjesën verilindore, ku termometri shënon -12 deri në -13 gradë celsius.

“Reshjet e dëborës përfshinë gjithë territorin shqiptar. Problematike situata paraqitet në zonat lindore, verilindja, ku trashësia e dëborës është deri në 70 cm.

Parashikohet që këto reshje dëbore të ketë sërish në këto zona. Do kemi spostim të reshjeve të borës vetëm në zonat veriore dhe juglindore.

Pritet që kryefjala e kësaj fjale të jenë temperaturat termike. Temperaturat pritet që të kenë rënie. Vlora shënon -1 dhe Saranda 0 gradë. Në Tiranë temperaturat janë -5.

Në zonat verilindore pritet që temperaturat të ulen më tej. Në disa zona termometri do të shënojë -15 gradë.”, tha Porja në një lidhje telefonike për News24 meteorologia Lajda Porja.

Dita e nesërme, megjithëse do të sjellë diell, mëngjesi do të jetë me temperatura ekstremisht të ulëta. Kjo situatë do të jetë deri në datën 23 shkurt.

“Problematike në zonat malore mbeten ngricat në akset rrugore. Nga dita e hënë deri nga mesi i javës do të jenë 24 orë në vlerat negative, kjo do të bëjë që të kemi ngrirje të akseve rrugore.

Ky acar pritet të qëndrojë deri në fund të javës tjetër. Do të kemi më pas afrim drejt vlerave normale të dimrit. Tirana do të ketë vlera negative mëngjeseve”, përfundoi Porja. /albeu.com/

Leave a Reply