




Në një fshat jetonte një burrë dhe një grua, burri punonte në fushë, kurse gruaja në shtëpi. Burri menjëherë, sapo fillonte dita, i merrte qetë dhe shkonte në fushë për të lëvruar, kurse gruaja qëndronte në shtëpi duke punuar, dhe gjithmonë ia dërgonte drekën në fushë. Mirëpo, burrit gjithmonë i dukej shtrembër kur mendonte se gruaja nuk po bën kurrfarë pune, vetëm po bën përtaci në shtëpi, dhe më në fund i tha gruas:
– Ti, oj gruaja ime, vetëm po han dhe po rri kot në shtëpi, dhe nuk po bën asgjë. Unë punët e juaja femrave i kisha bërë për një orë. Ne burrat e ngratë, për gjithë ditën po digjemi në diell.
Gruaja filloi të qeshte, pastaj i tha:




– Hesht, mbylle gojën! Puna jonë është 100 herë më e vështirë se puna e juaj, ju kurrë nuk do të jeni në gjendje ta bëni atë.
Por ai asaj nuk i dha mundësi të flasë, duke vazhduar përsëri, sesi burrat punojnë më shumë, kurse gratë nuk bëjnë asgjë. Atëherë, ajo i tha:
– Mirë, pra! Unë nesër do t’i marrë qetë dhe do të shkoj ta lëvroj arën, kurse t’i do ta bësh punën time.
Ai këtë mezi e priti, dhe u dakorduan, që ashtu të veprojnë, sapo të agojë dita.




Të nesërmen, gruaja i mori qetë, pastaj filloi ta urdhërojë burrin, se çka duhej të bënte ai:
– Ti po mbetesh në shtëpi, prandaj kujdesu si do të veprosh. Mi ruaj zogjtë, që mos të mi rrëmbejë diçka; pastaj mili lopët, por kujdesu që viçat mos t’i thithin tërësisht. Gatuaje bukën, tunde kosin, përgatite drekën dhe ma sill në fushë.
Gruaja duke u grah qeve, diçka i erdhi në mendje, andaj u kthye dhe i tha burrit:
– Por, harrova të të them: në tavan është një qyp me helm. Kujdes, mos u mashtro, aspak mos ha nga ai he lm, sepse do të vd esësh menjëherë.




– Ani mirë, – tha ai, – mos ke gajle, unë do t’i bëj të gjitha me lehtësi, por ti shiko mirë, që të lëvrosh sa më shumë që mundesh.
Pastaj ajo shkoi me qetë në arë, kurse ai qëndroi në shtëpi për të punuar.
Sapo gruaja u largua nga shtëpia, burri menjëherë ia nisi punës. Së pari e fshini shtëpinë dhe e ndezi zjarrin, pastaj e shikoi pulën me zogjtë e saj, pastaj iu kujtua se gruaja i tha atij që të kujdeset për ta, andaj mendoi pak, se si do t’i ruante më mirë, dhe u kujtua, e mori konopin dhe i lidhi të gjithë zogjtë për këmbët e pulës, që mos t’ia merr dikush. Pastaj shkoi dhe i moli lopët, pastaj kur kthye, nisi t’i përvjelë mëngët për ta gatuar bukën. Filloi ta sitë miellin, pastaj i ra në mendje, se edhe kosin duhet ta tundë, por deri atëherë, i kishte kaluar shumë kohë, andaj i ra në mendje edhe diçka, dhe tha:
– Hëëë, për Zotin, do ta lidh shkopin për shpinë, që derisa ta siti miellin, edhe kosi do të tundet ngadalë, dhe kështu do t’i bëj dy punë.




Ashtu edhe bëri, e lidhi shkopin për shpinën e tij, dhe vazhdoi ta sitë miellin. Derisa po sitej mielli, kosi u zbut pak, por ndërkohë që po gatuante bukën, e harroi kosin. Kur e çoi bukën për ta pjekë, u përkul për t’i fryrë zjarrit, ndërsa kosi i ra mbi kokën e tij dhe u derdh në zjarr, dhe zjarri u shua. Meqë rast u zemërua dhe doli para shtëpisë, për t’i parë zogjtë, por në atë çast erdhi një shpend grabitqar dhe e rrëmbeu pulën, dhe, pasiqë zogjtë ishin të lidhur për të, ai bashkë me pulën i mori edhe zogjtë. Kur e pa edhe atë, u zemërua edhe më shumë, dhe u nis për në stallë që t’i shohë lopët. Pasi hyri brenda, i pa viçat nën lopë duke thithur, sepse kishte harruar ta mbyllte derën e viçave, kështu që viçat kishin dalë dhe ishin shërbyer. Tani iu mërzit jeta, u ndal duke i ra kokës me grushta, dhe duke thënë:
– Uh, tash që bëra kaq shumë dëm, do të shkoj në tavan të helmohem, le të mos jetoj më.
Atë që e mendoi, atë edhe e bëri. Kur u ngjit në tavan, e gjeti atë qypin, pastaj u ul dhe po hante mjaltë pak nga pak. Pastaj u përpoq të lëvizte disa herë, filloi të kthehej përreth, dhe priti se kur do të shtrihej dhe do të vdiste.
Ndërkohë erdhi edhe koha e drekës, gruaja u kthye nga fusha dhe i pruri edhe qetë.




Sapo hyri në shtëpi, e pa bukën te oxhaku pa pjekë, kurse kosi i pa tundur i derdhur mbi zjarr; pastaj ajo shkoi në stallë. Kur atje, çka të shohësh, viçat e kishin pirë krejt qumështin, lopët ishin të uritura dhe të etura. Pastaj, kur deshi të kthehej nga stalla në shtëpi, ajo vuri re se nuk ishte as pula e as zogjtë. Hyri në shtëpi dhe filloi ta thërrasë burrin e saj.
Mirëpo, ai heshti dhe po shtirej sikur tashmë kishte vdekur. Gruaja u kujtua se ai është në tavan, kështu që u ngjit lartë menjëherë. E pa atë duke ngrënë mjaltë dhe i bërtiti:
– Ore, çka po bën? Çka është gjithë ky dëm që më ke shkaktuar?
Ai u kthye, tashmë e pa se nuk kishte vd ekur, prandaj iu përgjigj asaj:




– Ik, moj grua! Kur e pashë se sa shumë dëm kam shkaktuar, unë u ngjita në tavan për ta helmuar veten time. Kur kam bërë kaq shumë dëm, thashë, le të mos jetoj më!
– Eja, budalla, si do të helmohesh me mjaltë? Unë atë e kam lënë për ilaç, kurse ti ma paske ngrënë. Shko, heroi im, bëji punët tua: lëvro, gërmo, shko për dru, dhe mos u përziej në punët e grave, kur për to Zoti nuk të ka krijuar.
Kur e dëgjoi këtë, ai mezi priti. Me shpejtësi i mori qetë dhe shkoi për të lëvruar në arë pa ngrënë drekë, kurse gruaja mbeti duke i punuar punët e saj.




Më vonë, kurrë nuk ka thënë se punët e grave janë të lehta, përkundrazi, gjithnjë thoshte se punët e grave janë edhe më të vështira se ato të burrave.
Përkthim: Miftar Ajdini