Arriti të bëhet deputete, strategjia e guximshme e aktores që bëri për vete votuesit me historinë e pazakontë të dashurisë


Aktorja e njohur kosovare, Adriana Matoshi është zyrtarisht deputete e Kuvendit të Kosovës. Matoshi, e cila ka qenë kandidate në radhët e Lëvizjes Vetëvendosja, ka arritur që t’i sigurojë votat e nevojshme për t’u bërë pjesë e Parlamentit.

Mediat kosovare raportojnë se ka arritur që të sigurojë 10.403 vota në zgjedhjet e 14 shkurtit, duke lënë pas me vota deputetë të legjislaturës së kaluar si Xhelal Sveçla, Salih Zyba, Fatmire Kollçaku, Dimal Bash dhe Fitore Pacolli.

Aktorja zbuloi vetëm pak kohë më parë se do të përfshihej në politikë. Ajo është mjaft e komentuar për jetën e saj private pas ndarjes nga bashkëshorti dhe lidhjes me futbollistin afrikan, Keith Groeneveld, i cili është 19 vite më i vogël se Matoshi.

Pavarësisht kritikave, nëna e katër fëmijëve e ka mbrojtur me “forcë” lidhjen e tyre të dashurisë, duke thënë se është shumë e lumtur krah tij. Dhe si për koiçidencë, 14 shkurti i dashurisë i solli asaj fat për të fituar mandatin e deputetes, pasi ua rrëmbeu zemrat votuesve me historinë e pazakontë të dashurisë.

Edhe pse për konservatorët në mendime dalja hapur me partnerin e ri do i prishte punë në hyrjen e saj në politikë, në fakt, rezultoi ndryshe pasi ajo me historinë e saj motivoi gjithë femrat që janë të ndrydhura për të folur hapur për ndjenjat e tyre.

Kujtojmë që Adriana Matoshi që kur nisi historinë e dashurisë me futbollistin afrikan Keith Groeneveld, u përball me një sërë kritikash në internet, të cilave ajo iu përgjigj “Dashuria nuk është vetëm se ks”.

Kjo lidhje bëri shumë bujë për faktin se djali është 19 vite më i ri. Aktorja e njohur 41- vjeçare e nënë e katër fëmijëve u kap mat nga paparazzi i “Prive” teksa shëtiste me 21-vjeçarin.

Gjatë intervistës, ajo u shpreh se ndihet shumë mirë në krah të futbollistit dhe se janë dashuruar “me shpirtrat e njëri-tjetrit”.

“Jemi shumë mirë krah njëri-tjetrit. Nuk jemi njohur më përpara, ai nuk e dinte që unë isha aktore dhe as unë s’e dija që Keith ishte futbollist. Jemi dashuruar në shpirtrat e njëri-tjetrit,”- tha Adriana Matoshi.

Ndërsa futbollisti rrëfeu momentin kur hëngrën darkë bashkë për herë të parë.

“Është e sjellshme. Herën e parë që hëngrëm darkë së bashku folëm për shumë gjëra, për jetën e saj, jetën time, planet e së ardhmes, për synimet tona. Dhe pas asaj nate ajo më ‘kapi’”, u shpreh ai.

Ndërsa për sa u përket paragjykimeve se është në një lidhje me një njeri me ngjyrë, aktorja theksoi se nuk i interesojnë, madje “i vjen keq për njerëzit që mendojnë në këtë mënyrë”.

Gjithashtu, ajo rrëfeu se familja e saj e ka pranuar futbollistin.

“Njerëzit gjithmonë paragjykojnë, por nuk më bëjnë përshtyje. Më vjen keq për njerëzit që mendojnë se Adriana është me një njeri me ngjyrë. Por për jetën time personale, mua mund të më gjykojë veç Zoti, sepse asnjë njeri nuk i ka veshur këpucët e mia dhe të ecë nëpër rrugë që kam kaluar unë dhe sesi jam ndier. Për sa kohë ndihem mirë në këtë lidhje me partnerin tim, mendoj se nuk duhet t’i interesojë njeriu ose në vend që të thonë një fjalë të mirë, të thonë një fjalë të keqe. Pse?! Familja ime ndoshta nuk do më lejonte nëse do kisha lënduar dikë, por Keith është beqar dhe unë jam beqare. Nuk kam lënduar ndonjë zemër, thjesht jemi pëlqyer. Unë di të zgjedh për veten dhe të jetoj momentin”, tregoi aktorja.

Aktorja është nënë e katër fëmijëve, por kjo gjë nuk i ka interesuar Keith Groeneveld. Ai tha se për të fakti që Adriana Matoshi kishte fëmijë nuk ishte problem, sepse e do shumë atë.

“Isha i frikësuar sepse jam dikush që e dua familjen mbi të gjitha. Për mua nuk ishte problem, për të tjerët mbase po që thonë ‘oh, ajo ka fëmijë’. Unë thjesht e dua atë shumë dhe zemrën e saj. E dua familjen e Adrianës dhe njerëzit që ajo do”, u shpreh futbollisti.

Nga ana tjetër, Adriana rrëfeu edhe historinë traumatike pas divorcit nga bashkëshorti, babain e katër fëmijëve të tyre. Pasi u paragjykua për romancën e saj me një djalë më ngjyrë, aktorja foli më pas edhe për ndarjen nga ish-bashkëshorti, duke thënë se: “Periudhën sa kam qenë e martuar, isha e lumtur”.

Aktorja është shprehur se sa rëndë e ka përjetuar këtë ndarje. “Kam pasur një moment kur gjithçka u thye, shpirtërisht, emocionalisht, fizikisht shumë rëndë. Është periudhë që ka lënë vragë në shpirtin tim. I kam pasur vetëm dy mundësi, me shkatërru vetën apo me ecë përpara. Kam zgjedh me ecë përpara për hir të fëmijëve të mi, pasi ata janë qenia më e pafajshme në botë”, tha ajo në emisionin “Tètè A Tètè me Adelinën”.

“E kam vuajt një periudhë derisa kam vendos me bo veç sene të mira”, thekson ajo. Ndërkohë, komentuesit kanë gjetur ngjashmëri mes historisë së saj dhe aktores e modeles amerikane, Megan Fox.

Edhe Megan, nënë e tre fëmijëve, pas ndarjes nga bashkëshorti Brian Austin Green, deklaroi se është kokë e këmbë e dashuruar çmendurisht me reperin më të ri në moshë, Machine Gun Kelly.

Gjatë intervistës së fundit për “NYLON”, aktorja përshkroi me saktësi sa shumë intensive është marrëdhënia dhe kimia mes tyre. Megan jo vetëm që e quajti marrëdhënien me të nga ato që vijnë një herë në jetë, por tha se dashuria e tyre ishte “proporcion mitik”.

“Të duash atë, është si të jesh e dashuruar me një cunami apo me një pyll në zjarr. Intensiteti që kemi thjesht të lë pa fjalë dhe kërcënimi që kjo jep është po aq e fuqishme dhe e bukur sa ti nuk ke asnjë zgjidhje tjetër, veçse t’i dorëzohesh me gjithë qënien tënde”, u shpreh ajo.

Pasi mori frymë thellë nga gjithë ky përshkrim, Megan tregoi se sa shumë ka ndryshuar jeta e saj pasi ka njohur MGK. Po ndërkohë që Megan Fox s’e paragjykon njeri atje ku jeton, Adriana Matoshit i duhej të thyente një tabu duke dalë hapur në Kosovë me të dashurin afrikan.

E fakti që u votua si deputete tregon se ajo jo vetëm ia ka dalë, por ka bërë revolucionin e femrës që e jeton jetën si të dojë.

/Panoramaplus.al

Leave a Reply